1.1 – Origjinaliteti i dokumenteve digjitale

Rëndësia e burimit të informacionit
Bota e internetit është një burim i jashtëzakonshëm informacioni dhe secili nga ne i drejtohet motorëve të kërkimit online për të gjetur informacionin që kërkon.
Ky informacion i gjerë dhe i larmishëm, sigurisht ndihmon secilin prej nesh për të pasuruar e siguruar njohuritë dhe për t’i shfrytëzuar ato sipas nevojave që ka, por ndodh shpesh që ky informacion të jetë i
pasaktë dhe i pavërtetë.
Në hulumtimet e përditshme, që bën secili nga ne në internet, merren materiale dhe informacione,
marrja dhe kopjimi i tyre cenon dhe dëmton rëndë të drejtën e autorësisë së hartuesit dhe publikuesit të këtyre materialeve, sepse ato ripërdoren për qëllime studimore apo përfitimi.
Kujdesi që duhet të tregojmë kur i drejtohemi internetit si burim informacioni, duhet të jetë i madh, për të dalluar dhe shquar se kur një informacion është i pasaktë dhe i pavërtetë, dhe se kur ai është me të drejtë autori, përdorimi i të cilit mund të bëhet vetëm me lejen e tij.

Ndër faqet që mund t’u referoheni për një informacion të saktë mund të përmendim:
• portalet apo faqet zyrtare të institucioneve, si për shembull INSTAT për statistikat;
• portalet apo tekstet online nga Biblioteka Kombëtare, detyrimisht me citimet përkatëse;
• enciklopedinë e lirë online Wikipedia;
• portalin e publikimeve shkencore dhe studimore Academia.edu etj.

 

SITUATA:

Mësuesi i lëndës ju kërkon që të hulumtoni në internet dhe të kërkoni informacione të ndryshme
referuar lëndës dhe temës së mësimit. A keni dëgjuar për enciklopedinë elektronike Wikipedia? Shumë prej jush kërkojnë informacione në faqe të ndryshme dhe më pas, pasi i kopjojnë, vendosin emrin në fund të dokumentit. Sa i vërtetë dhe i saktë është ky informacion? Si duhet vepruar?