3.5 Përpunimi i të dhënave të formularëve me PHP

Struktura e mësimit 3.5 TIK

    - identifikon atributet e formës;
    - dallon përdorimin e metodës POST dhe GET;
    - lexon dhe shfaq të dhënat e dërguara nga një formular duke përdorur PHP;
    - ekzekuton kodin në PHP.
PHP, POST, GET, REQUEST.
Rikujtojmë që PHP-ja është një gjuhë skriptimi dhe përdoret për ndërtimin e aplikacioneve në web. Në dallim nga HTML-ja dhe JavaScript, kodi në PHP ekzekutohet në web server, pra është server-side. Programet në PHP nuk mund të testohen për sa kohë që nuk jemi të lidhur me një server web.
Aftësohet në përpunimin e të dhënave nga një formular duke përdorur skriptin PHP.
    1. Cilat janë karakteristikat e PHP-së?
    2. Cilat janë mënyrat për të kapur të dhënat nga format HTML?
    3. Ndërtoni një faqe web që do të afishojë dy fusha dhe një buton. Në secilën prej fushave përdoruesi duhet të japë nga një numër, për shembull: 2 dhe 3. Pasi të klikohet butoni, faqja web duhet t‘i afishojë të dy numrat si një të vetëm. Në këtë rast do të afishojë numrin 23.
Atributet e formës

Dy atributet e tag-ut janë:

• action: i tregon web browser-it ku do të dërgohen të dhënat e formularëve kur përdoruesi do të japë të dhënat.

• method: i tregon browser-it si do të dërgohen të dhënat e formularit nëpërmjet dy metodave GET ose POST. Metoda POST është më e sigurt dhe mundëson dërgimin e një sasie më të madhe të dhënash.

Kapja e të dhënave nga format HTML duke përdorur PHP

Fillimisht, atributi action duhet të përmbajë URL-në e skriptit PHP që do të menaxhojë formën. Për shembull: < form action=”forma.php” method=”post” > Më pas duhet të krijohet skripti forma.php. Kur përdoruesit konfirmojnë të dhënat e formës, të dhënat e tyre dërgohen në server dhe skripti forma.php do të ekzekutohet. Më pas skriptit i duhet të lexojë të dhënat e formës dhe t’i përpunojë ato. Për të lexuar të dhënat nga një formë përdoren variablat superglobale. Variablat superglobale janë variabla në PHP, të cilat janë të aksesueshme në secilin nivel të skriptit, në funksion, në metodë etj.

$_GET – përmban një listë të të gjithë emrave të fushave dhe vlerave të dërguara nga një formë duke përdorur metodën GET.

$_POST – përmban një listë të të gjithë emrave të fushave dhe vlerave të dërguara nga një formë duke përdorur metodën POST.

$_REQUEST – përmban të dhënat e $_GET dhe $_POST të kombinuara.

Për shembull, nëse kemi krijuar një formë duke përdorur metodën GET < input type= “text” name=“adresëEmaili”/> ,për të aksesuar vlerat e përdoruesit mund të përdoret $_GET ose $_REQUEST:

$email = $_GET[“adresëEmaili”];

$email = $_REQUEST[“adresëEmaili”];

Rikujtojmë gjithashtu që variablat në PHP fillojnë me shenjën e dollarit $ dhe echo përdoret për të afishuar të dhënat në web browser.

Shembull

shembull3.5

Në këtë shembull do të krijohet një formë regjistrimi dhe më pas një script, i cili do të lexojë të dhënat e dërguara nga forma për t’i shfaqur në faqen web. Kur përdoruesi do të plotësojë të dhënat në formularin e mësipërm dhe klikon butonin Konfirmo, të dhënat do të dërgohen për t’u përpunuar në skedarin PHP të quajtur përshëndetje.php. Të dhënat e formularit do të dërgohen duke përdorur metodën HTTP POST. Do të përdorim echo për të shfaqur të gjitha të dhënat që ka futur përdoruesi.

shemb3.5