4.2 Krijimi i një projekti. Ndërtimi i një programi dhe ekzekutimi i tij në VB

Forma
Forma shërben për të krijuar një medium lidhës ndërmjet përdoruesit, programit dhe kompjuterit. Si një programues vendosim se cilat kontrolle të përdorim, pozicionin e tyre në formë dhe atributet specifike të tyre. Në momentin kur klikojmë në formë, do të shohim që e gjithë dritarja do të kufizohet nga një vijë, e cila na vjen në ndihmë për të ripërcaktuar përmasat e saj sipas dëshirës sonë, mjafton të vendosim kursorin aty ku ndodhet vija kufizuese dhe e tërheqim për të përcaktuar përmasat e dritares. Për sa i përket dritares Properties, ajo përmban atributet për secilin kontroll që vendosim në formë. Atributet që ai përmban janë të listuara sipas rendit alfabetik.
Shtimi i komandave
Janë dy mënyra të thjeshta për të shtuar komanda në formën tonë. Mund të bëjmë thjesht një dopjoklikim në kontrollin që dëshirojmë të shtojmë dhe ai automatikisht do të vendoset në fillim të formës ose mund të klikojmë në komandë dhe ta rrëshqasim atë drejt formës në pozicionin që duam.

Emërtimi i komandave
Komandat janë të identifikuara sipas emrit të tyre. Mund të përdorim emrin e tyre sa herë që punojmë
me to. Visual Basic ka disa rregulla specifike për emërtimin e komandave. Emrat duhet të fillojnë me një
shkronjë. Pas emrit mund të shkruajmë edhe kombinime të shkronjave, numrave ose dhe simbolin (_).
Emrat nuk duhet të përmbajnë hapësira. Emri mund të jetë 1000 karaktere i gjatë, por zakonisht përdoret një emër me një gjatësi më të vogël se 20 karaktere.
Ne do të veprojmë duke i vënë çdo emërtimi një prefiks që përmban tri karaktere, gjë që do të na ndihmojë shumë në identifikimin e tipit të kontrolleve. Çdo emër duhet të përshkruajë komandën. Për shembull, prefiksi “txt” përshkruan komandën e llojit TextBox. Më poshtë kemi një tabelë që do të na ndihmojë për vendosjen e emrave të komandave:

emertimi i komadave

Kodi i formës
Cdo formë standarde ka një dritare për të shkruar kodin në kohën e dizenjimit. Ky kod aplikohet në kohën e ekzekutimit. Ai përbëhet nga procedura dhe ngjarje. Forma dhe kontrollet kanë ngjarje, disa prej të cilave jepen në tabelën në vijim.

emertimi i ngjarjeve

Hapat në zhvillimin e një aplikacioni
Ka tre hapa kryesorë që na çojnë në krijimin e aplikacioneve në Visual Basic:
1. dizenjimi i ndërfaqes së përdoruesit;
2. vendosja e vlerave të atributeve të kontrolleve;
3. vendosja e kodit në kontroll.
Shembull
Do të ndërtojmë një program që na afishon një tekst. Për ta realizuar këtë do të dizenjojmë formën me një kuti teksti (text box) dhe dy butona. Do të shkruajmë kodin përkatës në butonin Afisho në mënyrë që kur projekti të ekzekutohet dhe klikojmë mbi të, do të vendoset teksti “Mirë se vini në Visual Basic!” në text box, ndërsa kur klikojmë Mbylle do të përfundojë programin dhe do të kthehemi te forma.

Ekzekutimi i programit
Pasi kemi mbaruar me shkrimin e kodit, jemi gati për ekzekutimin e programit. Për ta ekzekutuar atë klikojmë, Start Debugging nga menuja Debug ose klikojmë butonin Start , që ndodhet në toolbar ose F5 nga tastiera. Klikojmë butonin Afisho për të shfaqur tekstin dhe Mbylle për të përfunduar programin. Në raste të tjera për të ndërprerë programin klikojmë butonin Stop Debugging , i cili ndodhet në të djathtë të butonit të ekzekutimit në toolbar ose në menunë Debug. Klikimi i butonit Afisho në vijim do të ekzekutojë një ngjarje që do të afishojë mesazhin: Mirë se vini në Visual Basic! Klikimi i butonit Mbylle na kthen aty ku ishim në fillim.