Bota e të dhënave digjitale

Roli dhe rëndësia e të dhënave digjitale
Të dhënat digjitale përfaqësojnë forma të ndryshme të dhënash duke përdorur gjuhën e kompjuterit, e cila mund të kuptohet dhe interpretohet nga teknologji të ndryshme.
Të dhënat digjitale kanë si qëllim kryesor transformimin e elementeve të botës fizike në botën teknologjike. Kjo gjë bëhet në forma të ndryshme duke përdorur teknika specifike për kapjen e ngjarjeve të botës reale dhe konvertimin e tyre në atë digjitale.
Një shembull konkret është konvertimi i një peizazhi natyror, i cili është fizik në botën reale, duke e kthyer në një fotografi digjitale. Prezantimi i këtij peizazhi fizik bëhet në bazë të teknikave specifike që ndiqen nga pajisja me të cilën bëmë fotografinë. Fotografia digjitale shfaqet në kompjuterin tonë në bazë të rregullave që kompjuteri ka të integruara për të dhëna digjitale të tipit imazh. Gjithashtu, teknika të njëjta përdoren dhe për të dhëna audio ose tipa të tjerë.
Të dhënat digjitale kanë bërë të mundur të kuptojmë me të vërtetë fuqinë dhe rëndësinë e kompjuterave në jetën tonë. Rrallë mund të hasim ndonjë fushë të jetës sonë që nuk përdor të dhënat digjitale, për arsye se revolucioni teknologjik arriti bashkë me këto të dhëna. Sot, fusha e muzikës dhe e televizionit janë fushat më të prekshme për këto që thamë më sipër. Pa të dhënat digjitale, sot do të kishim muzikë të regjistruar në kasetat e vjetra, të cilat nuk përdoren më, dhe televizorë me cilësi të ulët. Këto të dhëna bënë të mundur revolucionin multimedial (të muzikës dhe televizionit), për sa i përket ruajtjes së këtyre të dhënave, përpunimit të tyre, cilësisë deri në standardin HD (High Definition) 3D (për TV) etj.