Gjuhët e programimit dhe konceptet bazë të tyre

 

Gjuha është një sistem komunikimi. Gjuha e kompjuterit funksionon duke u mbështetur te sistemi binar, i cili është i bazuar në zero (0) dhe njësha (1).

 

Gjenerata e parë i përket gjuhës së makinës, e cila përbëhet nga një bashkësi numrash 0 dhe 1. Kjo është gjuha që kupton kompjuteri. Çdo tip familjesh procesorësh kërkon gjuhën e tij të makinës, për këtë arsye kjo gjuhë është e varur nga makina ose ndryshe thuhet nga hardware-i. Gjuha e makinës ka avantazhin e ekzekutimit të shpejtë dhe përdorimit eficient të kujtesës. Por ajo është një metodë programimi e vështirë dhe që harxhon kohë. Gjuha e makinës është një gjuhë e nivelit të ulët.

 

Gjenerata e dytë i përket gjuhës Asembler, e cila njihet si gjuhë programimi e nivelit të ulët. Gjuha Asembler e paraqet kodin e programit me anë të simboleve ose shkurtimeve të quajtura “mnemonic” dhe adresave simbolike në vend të 0-s dhe 1-shit. Një program i shkruar në gjuhën Asembler për t’u kuptuar dhe ekzekutuar nga makina duhej përkthyer në gjuhë makine. Ky proces kryhet nga një program që quhet asemblues.

 

Gjenerata e tretë erdhi si nevojë për të zgjidhur problematikat e shfaqura në gjuhën Asembler. Gjuhët e gjeneratës së tretë njihen si gjuhët e nivelit të lartë.
Gjuhët e nivelit të lartë lejojnë manipulimin me lehtësi të formulave matematikore, të strukturave komplekse, të tilla si: tabela një ose disadimensionale, lista, pemë etj., të veprimeve I/O etj.
Këto gjuhë janë të dizenjuara për t’u ekzekutuar në kompjutera të ndryshëm me pak ose aspak ndryshim, lehtësojnë programuesit në shkrimin e kodit; programet përdoren në më shumë se një tip makine me pak ndryshime.

Gjuha që u bë mjaft popullore dhe suksesi i së cilës u duk që në momentet e para të publikimit, ishte gjuha C. Kjo gjuhë e re u quajt gjuha C, sepse në atë vit ishte në përdorim gjuha e programimit e quajtur B. Edhe sot, gjuha C konsiderohet si një gjuhë me potencial të lartë. Një version më i përparuar i saj është gjuha C++, e cila në thelb është gjuha C e pasuruar me një sërë funksionesh të gatshme, si dhe me paradigmën e programimit me objekte.

 

Gjuhët e gjeneratës së katërt njihen si gjuhë të nivelit të lartë. Janë gjuhë joproceduriale, që e lejojnë
programuesin dhe përdoruesin të përcaktojë se çfarë duhet të bëjë kompjuteri pa specifikuar se si ta bëjë
atë. Këto gjuhë rrisin shpejtësinë e zhvillimit të programeve, minimizojnë mirëmbajtjen duke reduktuar
gabimet.
Gjenerata e pestë. Gjuhët natyrale paraqesin hapin tjetër në zhvillimin e gjuhëve të programimit. Teksti i
këtyre gjuhëve ngjason me të folurin njerëzor dhe janë dizenjuar për ta bërë kompjuterin “më të zgjuar”
(smart).

 

Konceptet bazë të gjuhëve të programimit

Gjuhët e programimit kanë disa tipare të përbashkëta. Tre komponentët e tyre janë:
instruksione deklarative: deklarojnë emra që identifikojnë të dhëna të cilat përdoren më vonë gjatë  zhvillimit të programit;
instruksione proceduriale: të shkruajnë një listë instruksionesh të një algoritmi;
komentet: përdoren për të përshkruar pjesë të ndryshme të programit. Komentet ndihmojnë në lexueshmërinë e programit.