Komponentët e rrjetit

Komponentët e rrjetit dhe funksionet e tyre
Nëse dëshirojmë të dimë se si është shtrirë një rrjet, do të vërejmë që mbrapa kompjuterave tanë është
një kabëll i lidhur. Ky kabëll shkon nga kompjuteri ynë nëpërmjet kartës së rrjetit te një pajisje diku në
dhomë (switch). Nëse shkojmë deri te kjo pajisje, vërejmë që të gjithë kabllot që vijnë nga kompjuterat tanë përfundojnë në këtë pajisje (switch), ku vetë kjo pajisje lidhet me një pajisje tjetër (router).
Komponentët e parë të rëndësishëm të rrjetit janë pajisjet fundore (në rastin tonë, kompjuterat e nxënësve), që mund të jenë: kompjuter, printer, smartfon, tablet etj. Këto pajisje lidhen në rrjet me atë që quhet karta e rrjetit. Nga karta e rrjetit në kompjuterin tonë shtrihet një kabëll (media e transmetimit) deri te një switch. Switch-i lidhet me një pajisje, që quhet router.
Komponentët kryesorë të rrjetit janë:
• pajisjet fundore,
• switch-i,
• router-i,
• media e transmetimit,
• Wireless Access Point,
• NIC (Network Interface Card).

Pajisjet fundore
Në botë ka disa kompani që merren me prodhimin e pajisjeve të rrjetit, ku si lider mund të përmendim
kompaninë CISCO, e cila ofron një gamë të gjerë të pajisjeve që kërkohen nga rrjetet më të avancuara sot.
Ndër kompanitë e tjera që mund të përmendim, janë: HP, Netgear, Alcatel etj. Pajisjet fundore përfshijnë
çdo pajisje që klientët tanë përdorin për t’u bërë pjesë e rrjetit. Komunikimi në rrjet nga klientët kryhet me anë të këtyre pajisjeve, që mund të jenë: kompjuter, smartfon, tablet, IP, kamera, printer etj.