Përdorimi i veglave të punës së programit dhe funksioni i tyre

Free Transform [Q] bën shformimin e objekteve sipas kontureve të objektit. Kur selektohet një objekt apo disa objekte, do të dalin pikat ku mund të fillojë shformimi. Shformimet janë të shumëllojshme
duke përdorur kombinimet e mausit dhe tasteve CTRL apo SHIFT.
Po përmendim dy më kryesoret:
• shformimi sipas shkallës së madhësisë së objektit;
• shformimi sipas një këndi rrotullimi.
Është e rëndësishme që mausi të pozicionet mbi pikat e shformimit për të bërë shformim sipas madhësisë.
Ai duhet të pozicionohet pak më në largësi të atyre pikave, që të kemi kënd rrotullimi. Duhet theksuar,
gjithashtu, se shformimi me dorë të lirë nuk ruan përpjesëtimin e brinjëve apo diametrat e objekteve. Që
të ruhet ai përpjesëtim, duhet të mbahet shtypur tasti SHIFT dhe të bëhet tërheqja e mausit njëkohësisht. Kështu mund të formojmë katrorë apo rrathë, ndryshe do të dalin drejtkëndësha apo elipsa.

• Stroke Color bën ngjyrosjen e kontureve (borders) të objekteve. Pasi klikojmë mbi këtë komandë, do të shfaqet paleta e ngjyrave, në të cilën mund të zgjedhim sipas dëshirës.
• Fill Color bën ngjyrosjen e mbushjes së objekteve. Për shembull, konturet e një katrori i duam me
ngjyrë të kuqe dhe mbushjen e tij me ngjyrë blu, kështu vendosim Stroke Color = Red dhe Fill Color = Blue.

Line [L] bën krijimin e vijave të drejta me trashësi të ndryshme. Pasi aktivizohet kjo komandë, do të
shikoni në panelin e veglave opsione të ndryshme, një nga të cilat është ajo Stroke, që ka të vendosur
trashësinë e vijës 1 px (px është njësi matjeje, pixel). Mund të ndryshohet po ashtu dhe tipi i vijës, si:
vijë-vijë, pikë-pikë apo dhe të tjera.

Paint Bucket Tool [K] është një vegël e veçantë, sepse bën ngjyrosjen e mbushjes së trupit të objektit, duke përzgjedhur ngjyrën në paletën e ngjyrave. Përdorimi është mjaft i thjeshtë, duke selektuar ngjyrën në fillim dhe pastaj klikohet mbi trupin e objektit. Kështu, mbushja e objektit do të marrë ngjyrën e aplikuar, por jo konturi i tij.

• Swap colors shërben për të shkëmbyer pigmentet e ngjyrave nga Fill Color në Stroke Color (pigmenti i konturit) dhe anasjelltas.

• Zoom [Z] është vegla që mundëson zmadhimin dhe zvogëlimin e ekranit (Scene). Pasi aktivizojmë këtë
komandë, do të shikojmë që kursori i mausit do të kthehet në një lupë (lente) dore me një shenjë plus (+)
brenda. Nëse klikojmë kur shenja plus (+) është aktive, atëherë qendra e ekranit do të zmadhohet dhe
do të qendërzohet pikërisht aty ku është kursori i mausit. Mund të bëhet zmadhim pa fund teorikisht,
por, praktikisht, zmadhimi maksimal është deri në 2 000%. Për të zvogëluar shkallën e ekranit duhet
mbajtur shtypur tasti Alt dhe lupa do të ndryshojë shenjën nga plus (+) në minus (-). Mbajtja e tastit
Alt dhe klikimi bëjnë zvogëlimin e ekranit dhe qendërzimin në të njëjtën kohë, sipas vendndodhjes së
kursorit të mausit. Zvogëlimi maksimal është deri në 8%. Nëse bëjmë klikim dysh mbi veglën Zoom,
ekrani do të kthehet automatikisht në madhësinë 100%.