Planifikimi dhe organizimi i një projekti digjital

Planifikimi i një projekti digjital
Nga momenti që nis një projekt, duhet të merremi me planifikimin e tij, duke menduar mirë për materialet digjitale që do të përdoren gjatë gjithë projektit. Kjo do të na e lehtësojë shumë kryerjen e projektit dhe arritjen e rezultateve sa më të larta.
Procesi fillon me një përmbledhje të shkurtër të projektit, që ju ndihmon të kuptoni problemet, cili është
mesazhi që doni të përçoni, te cilët persona doni ta përçoni këtë mesazh etj.
Për shembull, ju zhvilloni një projekt ku, me anë të një videoje që keni krijuar, informoni publikun për një
produkt për moshat 55-70 vjeç. Këtë video e shpërndani vetëm në rrjetet sociale. Kjo përbën problem, për arsye se ato mosha pothuajse nuk i përdorin rrjetet sociale, për rrjedhojë duhen gjetur mënyra të tjera informimi, siç mund të jenë: televizioni, gazeta etj. Mendoni sikur në fund të videos të keni harruar të vendosni numrat e kontaktit, atëherë i gjithë procesi do të ishte një humbje kohe. Planifikimi i mirë na bën të mundur të mos hasim këto lloj problemesh, duke e organizuar paraprakisht projektin.

 

Kontrolli i versionit
Kur punojmë me të dhënat, mund të ripunojmë një folder herë pas here dhe duhet të cilësojmë se cilin
version të dokumentit po punojmë.
Shembull. Nëse po punojmë në dokumentin me emër klasa.docx, në muajin maj, bëjmë shtimin e
informacionit në këtë dokument. Nëse të dy folderat do t’i ruanim me emrin klasa.docx, gabimisht mund të punonim në folderin e vjetër dhe jo në atë të cilin punuam në maj. Problemi do të zgjidhej duke emërtuar folderin klasa_maj.docx dhe kështu do ta kishim më të lehtë që të punonim me këtë folder. Gjithmonë sugjerohet të cilësohet data dhe versioni i folderit.

 

Struktura e folderave
Një pjesë të rëndësishme në planifikimin e projekteve zë struktura e folderave dhe e skedarëve. Folderi
kryesor ka brenda tij nënfoldera të tjerë. Skedarët janë pjesë e tyre.
Shembull
Folderi kryesor Shkolla, pastaj mund të krijojmë nënfoldera: klasa X, klasa XI, klasa XII e me radhë.
Rregullat për folderat, nënfolderat dhe skedarët janë si më poshtë:
• folderat duhet të emërtohen në mënyrë sa më kuptimplotë;
• duhet të shmangen emrat shumë të gjatë;
• ashtu si te skedarët, edhe te folderat duhet të shmanget hapësira dhe të zëvëndësohet me vijën poshtë _.

Backup-i i të dhënave
Pjesa më e rëndësishme e një projekti janë të dhënat që përbëjnë projektin, për këtë arsye ruajtja (backup) e të dhënave është pjesë kritike e çdo projekti. Mënyrat dhe avantazhet e backup-it i kemi diskutuar në mësimet më parë.

 

Ruajtja nga viruset
Një nga gjërat më të rrezikshme që mund t’u ndodhë të dhënave tona është infektimi me viruse, duke i bërë ato të papërdorshme. Për këtë arsye duhet të bëhen kontrolle të herëpashershme për viruse.