Platforma të ndryshme për ndërtimin e programeve në Java

Java është një gjuhë e fuqishme dhe mund të përdoret në disa mënyra.
• Java Standard Edition (Java SE) shërben për të zhvilluar aplikacione në anën e klientit. Aplikacionet
mund të ekzekutohen të veçuara ose si applet-e, të cilat ekzekutohen nga një web browser.
• Java Enterprise Edition (Java EE) shërben për të zhvilluar aplikacione në anën e serverit, si për shembull: Java servlets, Java Server Pages (JSP) dhe Java Server Faces (JSF).
• Java Micro Edition (Java ME) shërben për të zhvilluar aplikacione për pajisjet mobile për të gjitha
teknologjitë e tjera.

 

Java JDK dhe IDE

Ekzistojnë disa versione të Java SE. Oracle lëshon një version nëpërmjet një Java Development Toolkit (JDK).
• JDK përbëhet nga një grup programesh të veçanta, ku secili thirret në command line për zhvillimin dhe
testimin e programeve në Java.
• Në vend të përdorimit të JDK-së mund të përdoren mjete zhvillimi në Java (p.sh.: NetBeans, Eclipse,
BlueJ etj.) – programe që ofrojnë një mjedis zhvillimi të integruar (IDE) për ndërtimin më shpejt të
programeve në Java. Një IDE është një mjedis zhvillimi i integruar, i cili është shumë i nevojshëm gjatë zhvillimit të aplikacioneve komerciale. Modifikimi, kompilimi, zhvillimi, debugging dhe ndihma në
internet janë të integruara në ndërfaqen grafike të përdoruesit. Kështu, mjafton të shkruhet kodi burim
në një dritare ose të hapet një skedar ekzistues në një dritare, dhe pastaj klikohet një buton ose menu,
apo një buton funksionaliteti për të kompiluar dhe ekzekutuar programin.

NeatBeans

NetBeans është një IDE e shkruar në Java dhe është një nga mjediset e zhvillimit më të pëlqyeshme.
Ai suporton zhvillimin e të gjithë tipave të aplikacioneve në Java, por, gjithashtu, suporton dhe gjuhë të tjera ku, në veçanti, mund të përmenden: PHP, C/C++ dhe HTML5. Kjo IDE ofron mundësinë e krijimit të aplikacioneve Java EE, Java SE dhe Java ME.
Editori NetBeans është i aftë të dedektojë gabimet gjatë kohës që ne shkruajmë programin dhe të ndihmojë duke ofruar pjesë të ndryshme kodi, të cilat i vijnë në ndihmë përdoruesit, siç tregohet në figurën në të djathtë.
Të gjitha këto rrisin shpejtësinë dhe thjeshtësojnë programimin duke përdorur editorin tekst. Për testimin e aplikacioneve, IDE ofron mjete të ndryshme, si dhe analizim të kodit.

 

 

Eclipse

Eclipse është një tjetër IDE pa pagesë e përdorur nga zhvilluesit dhe programuesit. Eclipse mundëson krijimin e aplikacioneve të ndryshme në Java, të cilat mund të përdoren në: pajisjet
mobile, shfaqjen e programeve duke përdorur shfletues të ndryshëm dhe programet që ekzekutohen
në kompjuter. Eclipse, përveçse është mjaft i përdorshëm për mjedisin e zhvillimit (IDE) në Java, është i
përdorshëm, gjithashtu, për C/C++ dhe PHP. Nëpërmjet tij mund të kombinojmë gjuhë të ndryshme dhe
karakteristika të tjera nën një paketë standarde.