Programim i orientuar drejt objekteve

Hyrje në programimin e orientuar drejt objekteve

Si në të gjitha gjuhët e tjera të programimit, elementet e gjuhës Java nuk ekzistojnë të izoluara. Ato
gërshetohen së bashku për të formuar të gjithë gjuhën në tërësi. Megjithatë, kjo lidhje e ngushtë e tyre bën që të jetë e vështirë të përshkruhet një aspekt në Java pa përfshirë disa të tjera.
Programimi i orientuar drejt objekteve qëndron në themel të gjuhës Java. Programimi i orientuar drejt
objekteve është shumë i lidhur me gjuhën Java, kështu është më mirë të kuptohen parimet bazë të tij
përpara se të shkruhet një program në Java. Në këtë temë do të trajtohen aspektet teorike të tij. Programimi i orientuar drejt objekteve gërsheton idetë më të mira të programimit të strukturuar me disa koncepte të reja.
Në rastin më të përgjithshëm, një program mund të organizohet në dy mënyra: rreth kodit të tij ose rreth të dhënave të tij.
Duke përdorur vetëm teknikat e programimit të strukturuar, programet, zakonisht, janë të organizuara rreth kodit. Kjo mënyrë mund të quhet si “Kodi që vepron në disa të dhëna”.
Programet e drejtuara rreth objekteve janë të organizuara rreth të dhënave, me parimin “të dhëna të cilat kontrollojnë aksesin në kod”. Për të mbështetur parimet e programimit të orientuar drejt objekteve, të gjitha gjuhët e drejtuara drejt objekteve, duke përfshirë dhe gjuhën Java, kanë këto karakteristika: abstraksioni, enkapsulimi, polimorfizmi dhe trashëgimia.

 

Abstraksioni

Një element kryesor në programimin e orientuar drejt objekteve është abstraksioni. Njerëzit e menaxhojnë kompleksitetin nëpërmjet abstraksionit. Për shembull, njerëzit nuk mendojnë për makinën si një grup me mijëra pjesë individuale. Ata e mendojnë atë si një objekt të mirëpërcaktuar me sjelljen e tij unike.
Ky abstraksion i lejon njerëzit të përdorin makinën pa e ngarkuar me kompleksitetin e pjesëve që e përbëjnë atë. Ata shmangin detajet se si punon motori, transmisioni etj. Në vend të kësaj, ata janë të lirë ta përdorin objektin në tërësi.

 

 

Enkapsulimi


Enkapsulimi është një mekanizëm programimi, i cili mban të sigurt kodin dhe të dhënat që ai manipulon nga mjedisi i jashtëm. Në një gjuhë programimi, kodi dhe të dhënat mund të
bashkohen së bashku. Supozojmë se kombinimi i tyre krijon një kuti të zezë. Brenda kësaj kutie ndodhen të gjitha të dhënat dhe kodet e nevojshme. Nëse të dhënat dhe kodi lidhen së bashku, në këtë mënyrë kemi krijimin e një objekti. Me fjalë të tjera, objekti është një pajisje e cila suporton enkapsulimin. Brenda një
objekti, kodi, të dhënat ose të dyja mund të jenë publike ose private.
Të dhënat ose kodi privat nuk mund të jenë të aksesueshme nga një program që ekziston jashtë objektit. Kur kodi ose të dhënat janë publike, pjesë të tjera të programit mund ta aksesojnë atë edhe pse ai është i përcaktuar në një objekt tjetër.