Roli i psikologjisë në punën e mësuesit si misionar i edukimit dhe i formimit të nxënësve

1.Të formosh mësues të zotë do të thotë t’i ndihmosh ata të kuptojnë më mirë sjelljen e tyre dhe të  nxënësve  në klasë

 

Mësuesi, si ‘ndërmjetës kulturor’ që i njeh dijet ka, nga njera anë, detyrën t’i trasmetojë ato me korrektësinë dhe përpikmërinë e duhur, sikurse parashikohet nga programet përkatese ministerore dhe, nga ana tjetër, t’i verë këto dije në përdorim duke u udhëhequr nga përgjegjësia dhe synimet edukative që i ka besuar shoqëria.

Në këtë ndërmjetësim, përballen, nga njera anë, ’përfaqësimet e njohurive të botës’ të përpunuara në nivel shoqëror dhe të bazuara në shkencë, ndërsa nga ana tjetër, ’përfaqësimet e botës’ së nxënësve, sigurisht më subjektive, më pak të përpunuara, jo gjithnjë koherente, ende të paformuara, hera herës madje, naive- frut i  historisë  vetiake të tyre, që për ata (fëmijët) shërbejnë si modele për t’u orientuar në përvojën e tyre të studimit e të jetës.

Pikërisht, në mes të këtyre dy botëve, qëndron  mësuesi, me botën e tij të brendshme e cila, sikurse çdo botë njerëzore, përbëhet nga përjetime në të cilat ndihet fort faktori emotiv, emocional. Për të gjitha këto, mësuesi duhet të jetë i ndërgjegjshëm dhe të bëjë një kujdes të vazhdueshëm që ato të mos ndikojnë në mënyrë negative në procesin  mësimor.

Në këtë këndvështrim, roli i mësuesit ngarkohet me një përgjegjësi mjaft të madhe, që nuk reduktohet thjesht në trasmetimin e njohurive e të kulturës, dhe nuk mund të kufizohet me një mësim frontal. Ai duhet të përçojë kryesisht besim, respekt, mirëkuptim, optimizëm, që janë të një rëndësie themelore në vendosjen e lidhjeve pozitive midis mësuesit dhe nxënësve, me synim që të krijohet një atmosferë klase e përshtatshme në përvetësimin e mësimit. Me fjalë të tjera, veprimtaria e mësuesit zhvillohet në mënyrë aktive në dy plane të lidhura midis tyre: në planin afektiv dhe në atë të aftësisë komunikuese, pasi ato luajnë një rol parësor në ’imprinting emotiv’ (gjurmë emotive) që  do të karakterizojë (ndoshta për gjithë jetën)  marrëdhëniet e nxënësit me shkollën.

Kësisoj, mësuesi bëhet qendër e një tensioni moral dhe emotiv-afektiv, që synon të realizojë një mjedis pozitiv në të cilin të zhvillohet mësimi, të mbushur me emotivitet dhe me aftësi formuese mardhëniesh të ndërsjellta dhe komunikuese. Ndaj në mbarëvajtjen e shkollës ka rëndësi parësore analiza e lidhjes së ngushtë emotivitet-mësimdhënie , duke iu referuar studimeve dhe përvojave të fituara në fushën e psikoanalizës dhe duke patur parasysh faktin se psikologjia emotive, në studimin e fenomeneve të të mësuarit e të mësimdhënies, i ka lënë pak hapësirë aspekteve emocionale dhe fantazisë

Të formosh mësues të ditur do të thotë t’i ndihmosh ata të kuptojnë gjithnjë e më mirë sjelljen vetiake dhe të fëmijëve në klasë

Në këtë drejtim, bëhet e nevojshme figura e psikologut shkollor, si  formues i mësuesve, derisa ata, në institucionet e edukimit dhe të arsimimit të ndihmohen për të kapërcyer atë ’dallim midis dijes intelektuale dhe dijes emocionale’ si dhe idenë, sipas së cilës ’të mësuarit është një çështje brendie dhe teknike’ duke mos patur parasysh dinamikat emotive dhe problemet me të cilat ndeshet kushdo gjatë procesit të formimit e të edukimit.

Nuk ka asnjë dyshim, detyra kryesore e mësuesit ka të bëjë në thelb, me formimin e nxënësve, por po aq i sigurt është dhe fakti që,  nëse procesi i të mësuarit është i pandarë nga emotiviteti dhe nga përjetimet e brendshme, vetiake, që çdo nxënës bart në vetvete dhe prej te cilave është vazhdimisht i ndikuar, nuk mund të shërbejë si favorizues në  përvetësimin e njohurive të reja dhe të aftësimit të tyre. Eshtë për të ardhur keq që formimi dhe përditësimi didaktik i mësuesve, janë të karakterizuar ende nga një tendencë përvetësimi teknikash  e metodologjish të reja mësimdhenieje, duke lënë pasdore rëndësinë e raportit dhe të komunikimit, si aspekte po aq të rëndësishëm në të gjithë procesin e edukimit dhe të formimit kulturor të nxënësve.

‘Të dish’, ‘të dish të veprosh’,’të dish të jesh’: këtij trinomi që mbetet aktual edhe sot e kësaj dite në quadrin e gjërë të formimit, i duhet shtuar edhe ’të dish të jesh me’, pra të dish të jesh në raport me vetveten dhe me të tjerët, duke u nisur nga mësuesit, të cilët, në më të shumtën e rasteve, janë të papërgatitur për  këtë.

Atëherë, përpara psikologut – formues të shkollës, shtrohet aktivizimi i nevojshëm  i një përmase të re në kompetencat e mësuesve, si një kompetencë e  domosdoshme e tyre: zhvillimi  e përtëritja e forcave të brendshme motivuese, të aftësisë për të investuar mbi problemin a problemet që lindin, të zotësisë për ta pranuar sfidën në kërkimin e gjetjen e mjeteve komunikuese dhe të marrëdhënieve që nxënësit nxjerrin në pah te personat që kanë pranë. Përvetësimi i këtyre aftësive, shprehive dhe zotësive, do të ketë një ndikim padyshim pozitiv në marrëdhëniet e mësuesve me psikologun, gjatë procesit të mësimdhënies dhe të të mësuarit.

Me të drejtë studiuesit e njohur të kësaj fushe, i kanë quajtur këto përmasa kompetecash: inteligjencë ndërvetiake (intrapersonale) dhe tej (mbi) vetiake          (interpersonale), duke iu referuar zonës se ‘uni-t’ dhe zonës ‘ne’.

Të qenit mësues përben një nga profesionet  ndihmëse të njohura  ndër më të brishtat, dhe si të tilla, ndër më  me rrezik, për përfshirjen në përmasa të mëdha të ‘unit’. Më pas, nëse edukimi, si mision njerëzor dhe kulturor, zhvillohet në një gjendje vështirësie jo të zakontë (që ka të bëjë me emotivitetin, sjelljen dhe të kuptuarit e mësimit) dhe kërkon një ndihmë të veçantë, atëherë qartësia e ndërgjegjësimit kundrejt vetvetes, të ’uni-t’, të funksionit të vetvetes në lidhje me kërkesat e jashtme, është e domosdoshme për të individualizuar, piksëpari, pozicionin e vetvetes, për të shmangur rrezikun e të ‘mësuarit’ e të ’pajtuarit’ me problemin që paraqet nxënësi, me synimin për të përcaktuar mënyrat më efikase  dhe më të përshtatshme për ta zgjidhur atë. Ngjarjet e përjetuara thellësisht, emocionet, ndjenjat përbëjnë burime të vërteta energjish që mund të përballojnë një rol kaq të vështirë: një mësues që emocionohet natyrshëm kundrejt një sjelljeje apo reagimi të një nxënësi, është, me siguri, në gjendje të realizojë një komunikim autentik, marrëdhënie empatike dhe një dëgjueshmëri aktive në klasë. Kështu, misioni dhe profesioni i ri i mësuesit, duhet të lidhet me këtë aspekt, ta njohë e ta përdorë atë krahas kompetencave specifike  disiplinore dhe metodologjike. Në fakt, mësuesit duhet të jenë të ndërgjegjshëm për  nevojën e përgatitjes  dhe të  mbështetjes, në këtë drejtim, të nxënësve, si në fazën e formimit të tyre fillestar, ashtu dhe gjatë gjithë rrugëtimit që ata vetë (nxënësit e ndërtojnë (më saktë do të ishte fjala bashkëndërtojnë) në kohë.

Psikologu i shkollës duhet të mbajë parasysh faktin se ekziston  një  lidhje koresponduese (e ndërsjellë) tepër e ngushtë midis veprimtarisë së mësim-dhënies dhe rezultateve të përvetësimit të dijeve, nga ana e nxënësve.

Konkretisht, kur një mësues ka një klasë që e përvetëson lëndën me lehtësi, ndihet i aftë, i shpërblyer nga ana profesionale dhe i realizuar nga auto konfirmimi që ka marrë përmes rezultateve pozitive që kanë arritur nxënësit e tij. Nëse  këto rezultate nuk janë në nivelin  e pritur dhe të dëshiruar të mësuesit si dhe të përpjekjeve të tij në klasë, tek ai krijohen ndjesi dhe dyshime brejtëse për papërshtatshmëri, krijohen gjendje dëshpërimi, frustracioni, që prekin drejtpërsëdrejti figurën e tij professionale, jo rrallë, me një përfundim të pritshëm në veprime e sjellje të papranueshme dhe sidomos antiedukative. Për pasojë, ndodh që të krijohen gjendje psikologjikisht e moralisht rënduese për mësuesin dhe që shkaktojnë harxhim jo të pakonsiderueshëm energjish pozitive brenda sistemit shkollor. Në këtë mënyrë përvijohen atmosfera e dinamika delikate, jo lehtësisht të dukshme e të ‘motivueshme’ që shkaktojnë te mësuesi ato ndjesi dhe emocione që  shëmbëllejnë me humus of burn out . Edhe në këto raste, ndërhyrja e psikologut të shkollës do të synojë në përgatitjen psikologjike të mësuesit, si një ndihmë për njohjen më të mirë të vetvetes dhe për të zhvilluar – për veten  e tij-një ide unike dhe koherente. Në të njëjtën kohë, i krijon atij (mësuesit) një ndërgjegjshmëri më të madhe për emocionet e rizgjuara nga sjelljet reaguese të nxënësve në fazën e përvetësimit  të mësimit dhe që i kanë fillesat, po ashtu, në ndodhitë fëminore vetiake.

Vetëm në këtë mënyrë do të bëhet i mundur  çlirimi nga ankthi dhe pështjellimi që   bllokon dhe  shtyp përbrenda mësuesin e që nganjëherë, çon në mbyllje në vetvete e në qëndrime  të acaruara dhe mbrojtjeje (apo më mirë, vetmbrojtjeje) ose dhe më keq, në lënien pasdore të atij nxënësi që është bërë burim apo shkak i gjendjes së paqetë, si dhe në humbjen krejtesisht, te mësuesi, të interesit për një marrëdhënie e komunikim të ndërsjellë.

Padyshim, thënia se ‘detyra e mësuesit është t’i mësojë nxënësit’ është  manifestim i një arsyetimi ‘mbrojtës’ me synimin e qartë të shmangë kontaktin me prolemet emotive dhe të komunikimit,  që paraqet nxënësi: pikërisht detyra e mësuesit, nuk e përjashton, në fakt por, përkundrazi , e përfshin përpjekjen për të kuptuar dhe kundërshtuar, sa të jetë e mundur, ato interferenca emotive në procesin e përvetësimit të mësimit, që përbëjnë një pengesë të dukshme në rritjen kulturore dhe edukative të një nxënësi, fëmijë, adoleshent apo të ri. Studimet kërkimore psikologjike, psikoanalitike dhe pedagogjike, kanë provuar në mënyrë të patjetërsueshme, lidhjet e thella, sidomos në moshën  e rritjes, midis zhvillimit emotiv dhe atij njohës, midis afektivitetit dhe dëshirës për të mësuar. Një fëmijë apo nxënës që vuan, nuk mëson apo mëson keq. Po kështu, e njëjta gjë mund të thuhet edhe për një mësues të demotivuar apo të paaftë për të krijuar marrëdhënie komunikuese në klasë, për të trasmetuar apo përmbajtur ndjesitë e  nevojat e tij vetiake dhe të klasës së tij: ai nuk di të mësojë mirë ose nuk di të mësojë fare!

 

 

[1] Gazetare, studiese dhe pedagoge  e gjuhës dhe e kulturës italiane në Shqipëri dhe në disa universitete të botës.