Rrjetet kompjuterike dhe topologjia e tyre

Llojet e rrjeteve

• PAN (Personal Area Network)
PAN është një rrjet shumë i vogël dhe personal, që mund të përfshijë pajisje me bluetooth ose infrared, dhe ka një rreze prej 10 metrash. Nëse shikoni një person që flet në telefon me kufjet e tij të lidhura me bluetooth, ai është një PAN. Në PAN përfshihen: tastiera, mausi (mouse), wireless, kufje me bluetooth, printer wireless etj.

• LAN (Local Area Network)
LAN është një nga rrjetet më të përhapura, duke përfshirë: organizata, shkolla, zyra, shtëpi etj.
LAN është një rrjet i shpërndarë brenda një godine dhe që në shumicën e rasteve administrohet lokalisht. Ai mund të jetë i lidhur fizikisht me kabëll ose wireless (pa kabëll).
Nëse shkoni te laboratori i informatikës së shkollës suaj, ju do të jeni të pranishëm në një rrjet LAN, që përfshin të gjithë kompjuterat dhe pajisjet e tjera në laborator.

• MAN (Metropolitan Area Network)
MAN bën lidhjen e disa LAN-eve që shtrihen në kufijtë e një qyteti ose zone të caktuar. Mendoni rrjetin e një kompanie e cila ka disa degë të saj të shtrira në qytetin e Tiranës. Ky lloj rrjeti është një MAN.

• WAN (Wide Area Network)
WAN është një rrjet i cili ka shtrirje në disa qytete dhe deri në kufijtë e një shteti. Mendoni, për shembull, një kompani që ofron internet, e cila shtrihet në çdo cep të Shqipërisë, ky rrjet është një WAN.

• Internetwork
Internetwork është një rrjet i përbërë nga disa lloje rrjetesh të tjera. Është rrjeti më i madh që ekziston në botë. Interneti lidh të gjitha rrjetet WAN kudo që janë dhe ofron lidhje për rrjetet LAN dhe shtëpitë tona.