Ruajtja e informacioneve në kompjuter dhe protokollet backup

Llojet e backup-eve
1. Local backup – ruajtja e të dhënave bëhet lokalisht në hard diskun e kompjuterit ose në një pajisje të jashtme, si: hard disk, USB drive, CD, DVD etj.
2. Internet backup – ruajtja e të dhënave bëhet në një server diku në internet (cloud).
Ajo që ne duhet të zgjedhim varet nga disa faktorë, ndër të cilët po përmendim: siguria, koha dhe çmimi. Të dyja mënyrat e sipërpërmendura kanë avantazhet dhe disavantazhet e tyre.

 

Rëndësia e ruajtjes së informacionit në kompjuter
Sot, kompjuterat luajnë një rol të rëndësishëm në jetën tonë të përditshme, na lehtësojnë: marrjen e
informacioneve, përpunimin dhe shkëmbimin e informacioneve të ndryshme, për të cilat do të na duhej
shumë kohë pa këto pajisje kompjuterike. Zhvillimet e teknologjisë kanë bërë të mundur që çdo informacion të rëndësishëm ta kalojmë te pajisje, si: smartfon (smartphone), tablet, kompjuter etj.
Kompjuterat nuk janë të përsosur dhe ky fakt na përball me një problem tepër të rëndësishëm, i cili është siguria e këtij informacioni që mbajnë këto pajisje. Kush na e siguron ruajtjen dhe moscenimin e këtij informacioni kaq të rëndësishëm për ne?
Imagjinoni një kompjuter në bankë që mban të gjitha të dhënat financiare të klientëve dhe, papritur, ky
kompjuter të prishej. Të dhënat e klientëve do të humbisnin. Kjo do ishte një katastrofë për bankën dhe
klientët e saj. Po ashtu mendoni që në kompjuterin tuaj keni fotografi të të gjitha udhëtimeve që keni bërë gjatë jetës suaj dhe çdo gjë do të humbte për arsye se kompjuteri juaj do të prishej në çast.
Në vitin 2014, kompania e njohur “Sony” ra pre e një sulmi kibernetik, ku piratët fshinë një masë të madhe të dhënash nga serverat e kësaj kompanie. Dëmi llogaritej në miliona dollarë, por ky dëm i shkaktuar u kufizua shumë nga fakti që kompani serioze, si “Sony”, kryejnë praktikat më të mira për sa i përket ruajtjes së të dhënave (backup) dhe menaxhimit të tyre.
Në vitin 2011, 8.3 milionë qytetarëve britanikë iu kompromentuan të dhënat e tyre personale për arsye se një laptop i Shërbimit të Shëndetit Kombëtar ra pre e një vjedhjeje.
Të dhënat në kompjuter na humbasin për shkaqe të ndryshme, siç mund të jenë: dëmtimi fizik i pajisjes
elektronike; vjedhja e saj; fshirja gabimisht e të dhënave; futja e një virusi në sistem etj.