Shpjegimi i zërave të planifikimit ditor

English version

Fusha: Shkruani fushën të cilës i përket lënda juaj (për shembull, fusha Gjuhët dhe komunikimi)

Lënda: Shkruani lëndën tuaj (për shembull, Gjuhë shqipe)

Shkalla: Shkalla në të cilën ju ushtroni profesionin tuaj (për shembull, në qoftë se jepni mësim në klasën e dytë – shkalla 1)

Klasa: Shënoni klasën në të cilën ju jepni kontributin tuaj si mësimdhënës.

Tema mësimore: Në këtë rubrikë, ju do të shkruani temën tuaj mësimore të planifikuar në planifikimin tremujor.

Situata e të nxënit:

a. Situata

– Një situatë në të cilën do të ndërveprojë nxënësi. Situata është një bashkësi rrethanash, disa prej të
cilave shërbejnë si burime për trajtimin e saj nga ana e nxënësit.

– Një familje situatash ka karakter të përgjithshëm dhe përbëhet nga disa situata me veti të përbashkëta.

b. Veprimet

– Kategoritë e veprimeve që mund të kryhen nga nxënësit gjatë trajtimit të situatës.

– Zbatimi i veprimeve – nënkupton përdorimin e burimeve, strategjitë, teknikat dhe metodat e trajtimit të situatës.

c. Burimet:

– burime vetjake (kognitive), trupore;

– burime specifike;

– burime të jashtme.

d. Vlerësimi

Saktëson:

– tipin e trajtimit të pritshëm që situata të trajtohet realisht nga nxënësi dhe të pranohet nga të tjerët;

– kriteret e vlerësimit të trajtimit komponent të situatës nga nxënësit.

Formati i situatës së të nxënit
Mësuesi merr parasysh:

1. rezultatet e të nxënit;

2. emërtimin e situatës;

3. përshkrimin kontekstual të situatës;

4. veprimet e kryera për trajtimin kontekstual të situatës;

5. burimet (mjete, pajisje, burime të ndryshme, njohuri, aftësi paraprake të nxënësve);

6. vlerësimin (kur është realizuar).

Rezultatet e të nxënit të kompetencave të fushës sipas temës mësimore: përcaktojnë qartë shkallën e arritjeve të nxënësit në fund të një njësie mësimore. Rezultatet e të nxënit të fushës planifikohen duke u bazuar në kompetencat e fushës, ato përcaktojnë shkallën e përmbushjes së tyre dhe njëkohësisht edhe të përmbushjes së kompetencës kyç sipas së cilës lënda juaj kontribuon.

Fjalët kyç: përcaktojnë terminologjinë që do të përdoret në një njësi të caktuar mësimore, në mënyrë që të përmbushen rezultatet e të nxënit.

Burimet: përfshijnë të gjitha materialet e nevojshme të cilat ju vijnë në ndihmë me informacion dhe ndihmojnë në përmbushjen e kompetencave. Këtu bëjnë pjesë: Wikipedia, teksti i nxënësit, atlase, enciklopedi, harta, mjete të ndryshme të laboratorit, projekte kërkimore (studime), banera të ndryshëm, fletëpalosje, revista, burime të ndryshme informacioni (INSTAT), prezantime PowerPoint-i, mjete audiovizuale (laptop, projektor, USB, aparat fotografik, Smart Board, CD, magnetofon etj.) ose materiale të ndryshme sipas profileve lëndore të nevojshme për përmbushjen e kompetencave.

Lidhja me fushat e tjera ose me temat ndërkurikulare

Ju do të paraqisni në këtë rubrikë lëndët me të cilat njësia juaj mësimore integrohet. Në programin tuaj lëndor janë paraqitur lëndët mësimore me të cilat integrohet lënda juaj, mund të ndodhë që të gjitha këto lëndë të integrohen brenda një njësie mësimore, por mund të ndodhë që të integrohet vetëm me disa prej tyre. Ju duhet të jeni një njohës shumë i mirë i programit tuaj lëndor dhe të bashkëpunoni me mësuesit e tjerë lëndorë për ato koncepte ose njohuri të cilat ju identifikoni që janë trajtuar ose do të trajtohen në disiplinat e tjera dhe i vijnë në ndihmë lëndës suaj në përmbushjen e kompetencave.

Metodologjia dhe veprimtaritë e nxënësve, kusht i domosdoshëm

Organizimi dhe planifikimi i orës së mësimit, i cili mund të përmbajë:

  •  lidhjen e temës me njohuritë e mëparshme të nxënësve;
  •  ndërtimin e njohurive të reja;
  •  prezantimin dhe demonstrimin e rezultateve të arritura.

Mësuesi/ja bën kujdes që teknikat dhe metodologjitë që do të përdorë në orën mësimore të jenë në funksion të përmbushjes së rezultateve të të nxënit nga ana e nxënësve, si dhe në përputhje me nivelin moshor të tyre. Ato duhet të jenë në përputhje me kompetencat e njësisë mësimore dhe nxitëse për nxënësit.

Kriteret e përzgjedhjes së metodave mësimore

Së pari: duhet të zgjidhen në përshtatje me natyrën e lëndës, duke pasur parasysh edhe lëndët me të cilat
integrohen njohuritë.

Së dyti: në përshtatje me vendin ku do të zhvillohet mësimi (në klasë, në kabinet, në laborator, në natyrë,
në fabrikë, në muze etj.).

Së treti: në raport me moshën e nxënësve.

Për t’ju ndihmuar, po ju paraqesim klasifikimin e metodave.

Metodat e mësimdhënies klasifikohen në:

1. METODA ME NË QENDËR MËSUESIN

• Shpjegimi

• Ligjërata

• Biseda

• Demonstrimi

2. METODA ME NË QENDËR NXËNËSIN

Teknikat dhe metodat e punës në grup

– Teknikat dhe metodat e punës në grup u japin mundësinë nxënësve që të realizojnë qëllimet mësimore
duke bashkëvepruar me të tjerët.

– Këto teknika në thelb kanë ndërveprimin dhe sigurojnë kushte që nxënësit të paraqesin idetë,
pikëpamjet e veta dhe informacionin që ata zotërojnë.

Disa shembuj teknikash të punës në grup:

• Mendo/krijo, puno në dyshe

• Diskutimi i njohurive paraprake

• Punë në grupe të vogla ose të mëdha

• Grupet e ekspertëve

• Kodimi i tekstit

• Loja me role

• Lexim, përmbledhje në dyshe

Teknikat dhe metodat e hulumtimit – karakteristikë kryesore e këtij grupi metodash është: Hulumtimi i informacionit dhe nxjerrja e përfundimeve nga vetë nxënësit.
• Projekti kërkimor

• Vrojtimi

• Ekskursioni

• Studimi i rastit

• Intervista

• Pyetësori/Sondazhi

Metoda dhe teknika që zhvillojnë të menduarit krijues dhe kritik Metoda të zhvillimit të aftësive folëse (shprehëse)
• Brainstorming

• Parashikim me terma paraprakë

• Karrigia e nxehtë

• Dy të vërteta një gënjeshtër

• D.D.M./çfarë di, çfarë kërkoj, çfarë mësova?

• Seanca gjyqësore

• Paneli

• Pro dhe kundër

Metoda të zhvillimit të aftësive lexuese

• INSERT (√, +, -, ?)

• Harta e koncepteve

• DRTA – (VLD / VLMD)

Metoda të zhvillimit të aftësive shkruese

• Ditari dypjesësh

• Kubimi

• Diagrami i Venit

• Kllasteri

• Pesëvargëshi

• Empatia

• Esetë dhe shkrimet e lira

• Shkrimi i shpejtë

Pyetjet (koncepti, kriteret, klasifikimi)

Kur hartojmë pyetje, duhet të kemi parasysh rezultatet e të nxënit dhe kushtet e specifikuara. Paraprakisht nëse pyesim kur ndërtojmë një situatë të nxëni, duhet të bëjmë kujdes në hartimin e pyetjeve duke parashikuar çfarë dinë nxënësit, në mënyrë që të motivohen dhe të rritet besimi te aftësitë e tyre.

Klasifikimi i pyetjeve në dy grupe sipas dy kritereve

Kriteret:

niveli i pyetjes;

përmasa e pyetjes.
1. Pyetje objektive (pyetjet e mbyllura)

• Pyetjet me zgjedhje të shumëfishtë (me alternativa)

• Pyetjet me përgjigje të shkurtra

• Pyetjet me kombinime

• Pyetjet pohuese apo mohuese (e vërtetë, e gabuar)

2. Pyetje subjektive (pyetjet e hapura)

• Pyetjet e strukturuara

• Pyetjet ese

Vlerësimi

Pjesë e vlerësimit është edhe përcaktimi i nxënësve që do të vëzhgohen gjatë kësaj ore mësimi, duke pasur parasysh të dhënat e mbledhura në evidencat e progresit të tyre. Vlerësimi përcakton edhe shkallën e nxënësive të një nxënësi për një ose disa njësi mësimore.

Llojet e vlerësimit

Gjatë vlerësimit gjykohet dhe merren vendime për përparimin e vazhdueshëm dhe për nivelin e arritjes së rezultateve të të nxënit, të përcaktuara në Kurikulën Bërthamë dhe në planet e programet mësimore. Përmes vlerësimit merret informacion sa më i plotë dhe tërësor për shkallën e zotërimit dhe të demonstrimit të kompetencave nga nxënësit. Llojet kryesore të vlerësimit arsimor janë:

• Vlerësimi i brendshëm

Realizohet nga mësuesit dhe drejtuesit e shkollës, në veprimtarinë e përditshme mësimore dhe edukative. Ky vlerësim përdor mjete të ndryshme që mundësojnë nxjerrjen në pah të nivelit të zotërimit të kompetencave, konkretisht:

• gjerësinë dhe thellësinë e të nxënit të përvetësuar;

• gatishmërinë për t’iu përgjigjur sfidave të nivelit dhe për të përparuar drejt të nxënit edhe më sfidues;

• zbatimin e të nxënit në situata dhe rrethana të reja.

Vlerësimi i nxënësve, përveç formave të ndryshme joformale gjatë gjithë procesit të të nxënit, bëhet nëpërmjet
shkallës së vlerësimit që përfshin notat nga 4 – 10.

Nota 4: një arritje që tregon performim të pamjaftueshëm të njohurive dhe të kompetencave.

Nota 5: një arritje që tregon performim minimal të njohurive të reja dhe të kompetencave.

Nota 6: një arritje që tregon performim të mjaftueshëm të njohurive të reja dhe të kompetencave.

Nota 7: një arritje që tregon performim të kënaqshëm të shumicës të njohurive të reja dhe të kompetencave.

Nota 8: një arritje që tregon performim të mirë të njohurive dhe të kompetencave.

Nota 9: një arritje që tregon performim shumë të mirë të njohurive dhe të kompetencave.
Nota 10: një arritje që tregon performim të shkëlqyer dhe origjinal të njohurive dhe të kompetencave. Vlerësimi i arritjes së rezultateve të të nxënit bëhet gjatë dhe në fund të çdo viti shkollor dhe dëshmon nivelin
e arritjeve të tyre nga nxënësit. Në përfundimin e një shkalle të kurikulës (klasa II, V, VII, IX, XI dhe XII) bëhet vlerësimi i nivelit të zotërimit dhe të demonstrimit të kompetencave nga nxënësi sipas përcaktimit të tyre në Kurikulën Bërthamë.

Vlerësimi i jashtëm

Me vlerësim të jashtëm do të kuptohet vlerësimi i realizuar nga autoritetet qendrore, rajonale e vendore të
arsimit (MAS, AKP, IZHA, DAR/ZA).

Vlerësimi i jashtëm mund të bëhet për qëllime:

• inspektimi dhe verifikimi të cilësisë së vlerësimit në nivel klase, shkolle apo bashkie;

• vlerësimi të standardizuar në nivel arsimor;

• hulumtimi;

• vendimmarrjeje në arsim në nivele, fusha, aspekte të ndryshme.

Detyrat dhe puna e pavarur

Detyrat dhe puna e pavaruar të planifikohen në mënyrë të tillë që të mos rrisin ngarkesën e nxënësit. Mundësisht, sipas rastit të jenë të integruara brenda fushës apo ndërmjet fushave.

Duhet të kihet parasysh planifikimi dhe parashtrimi i detyrës, në mënyrë që nxënësi ta ketë të qartë çfarë do të kryejë dhe ta kryejë atë me dëshirë.

Rëndësia e punës së pavarur individuale te nxënësit, i krijon mundësi mësuesit të dallojë specifika te fëmijët dhe të ndërtojë punën në mënyrë që të sigurohet një nivel i lartë të nxëni. Nxënësit i ofrohet asistenca aty ku ka më shumë nevojë (kjo vlen për nxënësit me nevoja të veçanta (përfshirë nxënësit me vështirësi në të nxënë dhe nxënësit ekselentë).

Burime për vlerësimin e nxënësve dhe plotësimin e evidencave të progresit të nxënësve, si dhe për portofolin e nxënësit.

– Formate vëzhgimi të nxënësve që kryejnë detyra dhe aktivitete si, për shembull, hulumtime praktike, shfaqje, prezantime, diskutime etj.

– Dokumente, materiale, të dhëna (me gojë, shkrim, audiovizuale) të krijuara nga nxënësit, të cilat mund
të përfshijnë vetëvlerësim dhe/ose vlerësim ndërmjet nxënësve ose mund të vlerësohen nga mësuesit.

– Informacion i marrë nëpërmjet pyetësorëve me cilësi të lartë ndërveprimi dhe dialogëve.

– Përgjigje me shkrim.

– Një krijim artistik, krijim letrar, projekt.

– Raportime të siguruara nga të tjerë (prindërit, nxënës të tjerë, mësues të tjerë) për atë që kanë bërë nxënësit.

– Kërkime në terren të shoqëruara me raport.

– Prezantime të ndryshme (reklamime).

PLANIFIKIMI I ORËS MËSIMORE                                                                  DT.        /        /       

Fusha:

Lënda: Shkalla: Klasa:
Tema mësimore: Situata e të nxënit:
Rezultatet e të nxënit të kompetencave të fushës sipas temës mësimore: Fjalët kyç:
Burimet: Lidhja me fushat e tjera ose me temat ndërkurikulare:
Metodologjia dhe veprimtaritë e nxënësve:
Organizimi i orës së mësimit:
Vlerësimi:

Detyrat dhe puna e pavarur: