Strukturat ciklike. Cikli for

Strukturat ciklike

Strukturat ciklike janë struktura në të cilat kemi përsëritjen e një apo më shumë hapave (instruksionesh). Të gjithë këta hapa formojnë një cikël. Në trupin e ciklit duhet të kemi të paktën një
instruksion, i cili përcakton kushtin e daljes nga ky cikël. Nëse ky kusht plotësohet, atëherë kemi daljen nga cikli. Në këtë temë do të trajtohet cikli for, ndërsa në temën pasardhëse do të trajtohet cikli while dhe do while.

 

Cikli for

Cikli for ka për qëllim të përsërisë në mënyrë të vazhdueshme, një numër të caktuar herësh, trupin e ciklit (listë_instruksionesh). Cikli for përdoret në ato raste kur njihet numri i përsëritjeve.
Sintaksa e tij është:
for (inicializim_variabli; kushti; ndryshim_variabli)
{listë_instruksionesh;}
Pjesa inicializim_variabli na lejon ose të deklarojmë një variabël dhe t’i japim atij një vlerë ose t’i japim
një vlerë një variabli, që tashmë ekziston. Kjo pjesë ekzekutohet vetëm një herë në fillim të ciklit. Më
pas ekzekutohet kushti, i cili vlerësohet true ose false. Nëse është i vërtetë (true), cikli do të ekzekutojë
listë_instruksionesh. Pjesa e tretë ndryshim_variabli ekzekutohet çdo herë pas trupit të ciklit (listë_
instruksionesh). Aty variabli mund të rritet, zvogëlohet me 1 ose me ndonjë vlerë tjetër dhe më pas testohet përsëri kushti. Kur kushti bëhet i gabuar (false), cikli ndalon dhe programi vazhdon me shprehjet që janë menjëherë pas trupit të ciklit for.

 

Shembull:
Të gjendet shuma e pesë numrave të plotë që lexohen nga tastiera.

#include<stdio.h>
#include<conio.h>
main()
{ int shuma, nr, i;
shuma = 0;
printf (“Lexo numrat: \n”);
for (i = 1; i <= 5; ++i)
{ scanf (“%d”, &nr);
shuma += nr;
}
printf (“Shuma e pesë numrave që lexuat është %d “, shuma);
getch();
return 0;
}

 

Ky program i kërkon përdoruesit të shtypë pesë numra nga tastiera dhe gjen shumën e tyre. Më poshtë
jepet rezultati i ekzekutimit të programit për numrat e lexuar: 10, 20, 15, 75 dhe 50.