Strukturat e kontrollit

Në një strukturë kontrolli ekzistojnë listë_instruksionesh, të cilat, për disa vlera të të dhënave hyrëse, nuk do të kryhen asnjëherë.
Dy llojet e strukturave të kontrollit që do të trajtohen në këtë temë janë if dhe if…else. Te instruksioni if, nëse kushti është i vërtetë, do
të ekzekutohet lista e instruksioneve dhe në të kundërt, jo. Te instruksioni if…else, nëse kushti është i vërtetë, do të ekzekutohet listë_instruksionesh, që vjen pas instruksionit if dhe jo listë_instruksionesh, që vjen pas else. E kundërta ndodh kur kushti nuk është i vërtetë.

 

Shprehja if

Forma më e thjeshtë e strukturës së kontrollit është shprehja if. Shprehja if përdoret për të marrë vendime në program. Një nga format më të thjeshta të saj është:
if (kushti)
listë_instruksionesh;
ku listë_instruksionesh i referohet një instruksioni të vetëm apo një blloku instruksionesh. Bllok instruksionesh është një bashkësi intruksionesh, ku secili prej instruksioneve përbërëse mbaron me ; dhe e gjithë bashkësia përfshihet midis kllapave { }.
Pjesa kushti nuk duhet të mbarojë me pikëpresje, sepse kushti dhe listë_instruksionesh duhet të vendosen së bashku si një shprehje e vetme. Komanda thotë që, nëse kushti është i vërtetë (true, jozero), atëherë do të ekzekutohet listë_instruksionesh. Nëse kushti nuk është i vërtetë, atëherë listë_instruksionesh nuk do të ekzekutohet dhe programi do të vazhdojë me instruksionet e tjera në vijim.

 

Shprehja if…else

Sintaksa e saj është:
if (kushti)
listë_instruksionesh1;
else
listë_instruksionesh2;
If…else është një zgjerim i formës më të përgjithshme të shprehjes if. Nëse kushti është i vërtetë,
atëherë ekzekutohet listë_instruksionesh1, përndryshe ekzekutohet listë_instruksionesh2. Në çfarëdo rasti ekzekutohet ose listë_instruksionesh1 ose listë_instruksionesh2, por jo të dyja njëkohësisht.

 

Shprehja if else if … else

Sintaksa e saj është:
if (kushti1)
listë_instruksionesh1;
else if (kushti2)
listë_instruksionesh2;

else if (kushtin)
listë_instruksionesh;
else
listë_instruksionesh;
shprehja-x

Kushtet vlerësohen që nga kushti 1 e në vazhdim deri te kushti n. Sapo gjendet një kusht i vërtetë, lista e
instruksioneve të tij do të ekzekutohet dhe kontrolli transferohet te shprehja-x. Në qoftë se të gjitha kushtet janë të gabuara, do të ekzekutohet dega else, e cila përmban listë_instruksionesh.