Vendosja e tekstit, figurave, linkeve dhe tabelave me HTML/CSS

Vendosja e tekstit

Në HTML janë disa elemente që shërbejnë për vendosjen e tekstit. Më poshtë po listojmë disa prej tyre.
Titujt përcaktohen nëpërmjet elementeve “h”. Elementet “h” janë në gjashtë madhësi të ndryshme, nga

deri te

Paragrafët përcaktohen nëpërmjet elementit

. Për të kaluar tekstin në një rresht të ri përdoret elementi
. Për të krijuar një vijë horizontale në tekst përdoret elementi
, i cili shërben për të ndarë seksionet nga njëri-tjetri.

Vendosja e figurës

Aftësia për të vendosur figura në një dokument HTML ka ndihmuar në rritjen e popullaritetit të faqeve web.
Elementi  shërben për vendosjen e figurave në një dokument html. Ai kërkon përdorimin e dy atributeve:
– src, i cili shërben për të përcaktuar burimin nga do të marrim figurën;
– alt, i cili shërben për të vendosur një tekst që do të shfaqet në qoftë se shfletuesi nuk e gjen dot figurën
në burimin e përcaktuar tek atributi src.

Krijimi i linkeve

Linket krijohen duke përdorur tagun . Ky është një tag çift, ku tagu  shërben për hapjen, ndërsa tagu  shërben për mbylljen e tij. Ndërmjet tagut hapës dhe mbyllës mund të vendosim një fjalë, shprehje ose figurë.
Linket shërbejnë për të realizuar lidhje ndërmjet dokumenteve. Në qoftë se dokumenti është pjesë e faqes që keni krijuar, linket quhen linke të brendshme. Në qoftë se dokumenti është në një faqe tjetër, linket quhen linke të jashtme.
Linket e brendshme mund të jenë ndërmjet dokumenteve ose ndërmjet tageve të një dokumenti.
Për linkun e ndërtuar duhet të përcaktojmë atributin:
– href, që shërben për të përcaktuar vendndodhjen e dokumentit;
– title, që shërben për të vendosur një përshkrim për këtë link;
– target, që shërben për të përcaktuar se ku do të hapet linku. Atributi target merr disa vlera të tilla, si:
• _blank, që hap linkun në një dritare të re ose tab të ri;
• _self, që hap linkun në të njëjtën dritare me dokumentin nga i cili u klikua. Ky është opsioni që bëhet      aktiv në qoftë se nuk e përcaktojmë atributin target.

Tabelat

Tabelat ju ndihmojnë të shfaqni tipa të ndryshëm të dhënash, si: tekst, figura, link, audio, video, në mënyrë më eficiente. Elementi
shërben për ndërtimin e tabelave.
Struktura e tabelës është e përbërë nga katër elemente:
1- Titulli, për të cilin përdorim elementin <caption>…</caption>.
2- Koka, për të cilën përdorim elementin

3- Trupi, për të cilin përdorim elementin

4- Fundi, për të cilin përdorim elementin